

Mbështetje për Rrugëtimin Akademik të Studentëve të Fakultetit Ekonomik
Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe kompanisë PULSE Electronics, edhe këtë vit është realizuar shpërndarja e laptopëve për studentët bursistë si formë mbështetjeje për suksesin e tyre akademik.
Fakulteti Ekonomik ka kënaqësinë të njoftojë se studentja Aurela Rexhëbeçaj, e cila është bursiste në këtë fakultet, është përfituese e një laptopi. Ky donacion përfaqëson një vlerësim për përkushtimin, seriozitetin dhe arritjet e saj të dalluara gjatë studimeve.
Prodekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Kushtrim Gashi, priti në takim bursisten Rexhëbeçaj për t’i shprehur mirënjohje dhe për ta përgëzuar për këtë arritje. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin privat në mbështetjen e studentëve të dalluar dhe në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e tyre profesional dhe akademik.
Fakulteti Ekonomik dhe Universiteti “Ukshin Hoti” shprehin falënderim të veçantë për kompaninë PULSE Electronics për kontributin e qëndrueshëm në përkrahje të arsimit cilësor dhe të rinjve të talentuar, duke dëshmuar njëherazi përgjegjësi të lartë sociale dhe angazhim në zhvillimin e komunitetit akademik.



