
Fakulteti Ekonomik nënshkruan marrëveshje me TREFIN LLC për softuer kontabiliteti në praktikë
Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë TREFIN LLC, me qëllim implementimin dhe përdorimin e një softueri të licencuar të kontabilitetit TREFIN në procesin mësimor dhe praktik.
Në kuadër të këtij aktiviteti u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve, ku nga Fakulteti Ekonomik morën pjesë: Dekani Prof. Ass. Dr. Festim Tafolli, Prodekani Prof. Ass. Dr. Kushtrim Gashi, Shefi për mësim PhD (c) Vesel Usaj dhe Sekretari i Fakultetit MSc. Naser Buzhala, ndërsa nga TREFIN LLC mori pjesë MSc. Granit Fetahi, Drejtor i kompanisë. Marrëveshja u nënshkrua nga Prof. Ass. Dr. Festim Tafolli dhe MSc. Granit Fetahi, duke formalizuar bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të avancimit të cilësisë së mësimdhënies. Marrëveshja është iniciuar nga Prorektori për Mësimdhënie, Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, dhe Dr. Sc. Endrit Fetahi Profesor nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike.
Qëllimi i marrëveshjes është:
- Integrimi i programit të kontabilitetit TREFIN në laboratorët e Fakultetit Ekonomik dhe procesin mësimor;
- Aplikimi praktik i njohurive nga studentët gjatë ligjëratave dhe ushtrimeve;
- Zhvillimi i aftësive profesionale në kontabilitet dhe financa, në përputhje me kërkesat e tregut të punës;
Ky bashkëpunim forcon lidhjen e fakultetit me bizneset, mundëson integrimin e teknologjisë bashkëkohore në mësimdhënie dhe kontribuon në përmbushjen e standardeve të cilësisë sipas kërkesave të AKA-së, duke përgatitur studentët për sfidat reale të profesionit.
Fakulteti Ekonomik falënderon kompaninë TREFIN LLC për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e procesit mësimor, si dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin profesional të studentëve.




