
Ligjëratë e hapur me Emanuel Bajra në Fakultetin Ekonomik
Sot, në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u mbajt me sukses një ligjëratë e hapur nga eksperti i njohur i tregjeve financiare dhe zhvillimeve globale, z. Emanuel Bajra.
Ligjërata u fokusua në temën “Geopolitics and Trade Policies: Consequences for Financial Markets and Economies of the Region”, duke ofruar një perspektivë të avancuar dhe shumëdimensionale mbi marrëdhënien ndërmjet gjeopolitikës dhe ekonomisë globale. Gjatë prezantimit, z. Bajra trajtoi zhvillimet historike të sistemit financiar ndërkombëtar, duke filluar nga periudha e Bretton Woods, krizat energjetike dhe financiare, deri tek sfidat bashkëkohore të globalizimit, rivalitetet gjeopolitike dhe transformimet strukturore në tregjet financiare .
Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të këtyre proceseve në ekonomitë e vendeve të rajonit, përfshirë sfidat që lidhen me integrimin ekonomik, stabilitetin financiar dhe perspektivën e zhvillimit në një botë gjithnjë e më multipolare. Diskutimet përfshinë gjithashtu tema aktuale si roli i fuqive të mëdha ekonomike, transformimi i kapitalit global, globalizimi dhe ndikimi i krizave ndërkombëtare në ekonomitë në zhvillim.
Në këtë ligjëratë morën pjesë një numër i konsiderueshëm studentësh dhe anëtarësh të stafit akademik, të cilët patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive dhe të përfitojnë nga përvoja profesionale dhe njohuritë e thelluara të ligjëruesit. Ky aktivitet përbën një dëshmi të përkushtimit të Fakultetit Ekonomik për të ofruar përvoja të avancuara akademike dhe për të ndërlidhur teorinë me praktikën përmes bashkëpunimit me ekspertë të njohur ndërkombëtarë.
Fakulteti Ekonomik shpreh mirënjohjen më të sinqertë për z. Emanuel Bajra për kontributin e tij të çmuar dhe për ligjëratën motivuese që shërbeu si frymëzim për studentët dhe stafin. Njëkohësisht, shprehim dëshirën dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe duke e forcuar rolin e tij si motivues dhe udhërrëfyes për gjeneratat e reja në fushën e ekonomisë dhe financave.









