

Presidenti i “Mabetex Group” z. Behxhet Pacolli, i cili ka qenë edhe President i Republikës së Kosovës, të mërkurën ka mbajtur ligjëratë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren. Temë e ligjëratës ishte rrugëtimi i tij në biznes me Korporatën globale të inxhinierisë dhe ndërtimit “Mabetex”. Ai njoftoi se kjo kompani është themeluar në vitin 1991 nga ai dhe një grup inxhinierësh me përvojë të gjerë në fushën e planifikimit dhe shitjes së ndërtimeve civile dhe industriale, përderisa sot është një kompani globale e cila në pak vite është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm në botë me filiale në 18 vende. Kompania ka selinë në Lugano të Zvicrës dhe ka të punësuar rreth 14 mijë, shumica prej të cilëve janë shqiptar.
Ish-Presidenti Pacolli paraprakisht është pritur në takim nga u.d. Rektori Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj dhe stafi i tij bashkëpunues. Në takim u diskutua mundësia edhe e mbështetjes së Universitetit në aspektin infrastrukturor nga Fondacioni Behxhet Pacolli, i cili theksoi se do të shoh mundësit si do të mund ta mbështesë këtë Universitet.