

Forcimi i bashkëpunimit akademik ndërmjet Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren dhe Tokat Gaziosmanpaşa Üniversitesi
Në kuadër të programit Erasmus+, Prorektori për Mësimdhënie, Studentë dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, dhe UD Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Festim Tafolli, realizuan një vizitë zyrtare në Tokat Gaziosmanpaşa Üniversitesi në Turqi. Gjatë kësaj vizite, të dy përfaqësuesit e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren mbajtën ligjërata për stafin akademik dhe studentët e universitetit mikpritës, të cilat u mirëpritën me interes të madh dhe kontribuuan në thellimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy institucioneve.
Në vazhdim të vizitës, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, përfaqësuar nga UD Dekani Prof. Ass. Dr. Festim Tafolli, dhe Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrimit të Biznesit të Tokat Gaziosmanpaşa Üniversitesi, përfaqësuar nga Dekani Prof. Dr. Rüştü Yayar. Marrëveshja parasheh zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kërkimore, përfshirë shkëmbimin e stafit dhe studentëve, organizimin e konferencave dhe projekte të përbashkëta shkencore.
Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universitetit dhe thellimit të partneriteteve strategjike me institucione të arsimit të lartë nga rajoni dhe më gjerë.







