Fakulteti Ekonomik (FE) i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren u themelua në vitin 2010 si përgjigje ndaj kërkesave të tregut për kuadro të kualifikuar në fushën e menaxhimit, administrimit të biznesit dhe financave. Prej themelimit, Fakulteti është zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme, duke u bërë një nga njësitë më të rëndësishme akademike të Universitetit dhe një qendër e rëndësishme e dijes për rajonin e Prizrenit dhe më gjerë.
Që nga fillimi, Fakulteti ka qenë i orientuar drejt lidhjes së ngushtë me komunitetin dhe tregun e punës, duke përgatitur profesionistë të aftë për procesin e ndërkombëtarizimit dhe konkurrencës globale. Aktualisht, në FE zhvillohen programe studimi në nivelet Bachelor dhe Master, ndërsa në planin afatmesëm parashihet hapja e programeve të doktoratës, në përputhje me zhvillimet e përgjithshme të Universitetit.
Programet e akredituara ofrohen në këto fusha:
- Bachelor: Administrim Biznesi dhe Menaxhment Ndërkombëtar;
- Master: Administrim Biznesi.
Nëpërmjet stafit akademik të përkushtuar dhe bashkëpunimit me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë, Fakulteti ka arritur të forcojë profilin e tij si institucion që promovon cilësinë, inovacionin dhe hulumtimin shkencor. Studentët e Fakultetit Ekonomik kanë origjinë të larmishme gjeografike e kulturore, duke reflektuar diversitetin e qytetit të Prizrenit dhe duke krijuar një ambient të pasur akademik.
Fakulteti është i pajisur me infrastrukturë moderne për zhvillimin e procesit mësimor, përfshirë salla mësimi, amfiteatër, laboratorë të informatikes, bibliotekë dhe hapësira të posaçme për kërkime. Po ashtu, janë funksionalizuar struktura të rëndësishme si Qendra për Inovacione dhe Punësim dhe Bordi Industrial Këshillëdhënës (BIK), të cilat fuqizojnë lidhjen me tregun e punës dhe krijojnë ura bashkëpunimi me sektorin privat dhe publik.
Përmes konferencave shkencore, projekteve hulumtuese dhe partneriteteve ndërkombëtare, Fakulteti Ekonomik ka rritur dukshmërinë e tij akademike, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin rajonal dhe në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit.