

Në Fakultetin Ekonomik u promovua libri "Fryma Ndërmarrëse dhe Suksesi i Bizneseve në Rajonin e Prizrenit - Nga ideja në biznes"
Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren u promovua libri “Fryma Ndërmarrëse dhe Suksesi i Bizneseve në Rajonin e Prizrenit – Nga ideja në biznes”, me autorë Prof. Ass. Dr. Festim Tafolli, Prof. Ass. Dr. Kushtrim Gashi, MSc. Elhan Tafili dhe MSc. Ardit Vehapi.
Libri është rezultat i një projekti kërkimor të realizuar në bashkëpunim me 22 biznese nga rajoni i Prizrenit dhe sjell analiza, përvoja praktike dhe rekomandime për zhvillimin e sipërmarrjes, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet universitetit dhe komunitetit të biznesit.
Promovimi u përshëndet nga Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, ndërsa autorët prezantuan gjetjet kryesore të hulumtimit. Në fund të ceremonisë, përfaqësuesve të bizneseve pjesëmarrëse iu ndanë kopje të librit dhe mirënjohje për kontributin e tyre në realizimin e projektit.
Ky botim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kërkimit shkencor të orientuar drejt nevojave të komunitetit dhe forcimin e partneritetit universitet-biznes.













